Enti Kombëtar i Banesave nënshkruan marëveshje bashkëpunimi me Fakultetin e Arkitekturës dhe Urbanistikës

Nismat e përbashkëta të ndërmarra gjatë këtij vitit nga Enti Kombëtar i Banesave me mbështetjen e përfaqësuesve të Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës të Universitetit Politeknik të Tiranës, janë konkretizuar në prag të fundvitit me nënshkrimin e një marëveshjeje bashkëpunimi, që ka në fokus një temë të ndjeshme: Strehimin. Pjesëmarrës në workshop të organizuara nga ana e Entit; në asistencë teknike në hartimin e Termave të Referencës për Projektin e realizimit të një banese ekologjike me kosto të ulët në Korçë; prezencë aktive në trajnimin 1-ditor për arkitektë dhe inxhinierë mbi banesat me efiçiencë energjie, – janë shprehje të një bashkëpunimi konkret që u formëzua që në vitin 2014 dhe vijoi me sukses edhe gjatë vitit 2015 midis Enti Kombëtar të Banesave – Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës.

“Për vitin 2016 ne kemi planifikuar disa projekte e aktivitete, për të cilat do të jetë e nevojshme mbështetja akademike, në interes dypalësh të integrimit dhe ndërtimit të marëdhënieve të bashkëpunimit”, është shprehur në fjalën e saj përshëndetëse Drejtoresha e Përgjithshme e EKB-së, Znj.Doris Andoni. Nga ana e tij Z.Andrea Maliqari, Dekan i Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës, ka falenderuar Entit për përkrahjen e vazhdueshme, duke e vlerësuar marëveshjen si një hap në kurorëzimin e projekteve të realizuara bashkarisht. “Ju falenderoj për përkrahjen dhe është kënaqësi që kemi arritur deri më sot me vullnetin e mire të bashkëpunimit ta zyrtarizojmë e konkretizojmë me nënshkrimin e kësaj marëveshje”, ka thënë Z.Maliqari.

Banesat me kosto të ulët dhe efiçienca e energjisë do të jenë sërish epiqendra e projekteve të EKB-së për vitin e ardhshëm. Studimi i banesave të pabanuara (sipas statistikave të INSTAT rreth 29% e stokut të banesave figurojnë të pabanuara), për të analizuar problematikat, zbuluar arsyet dhe gjetur rrugët për ripërdorimin e tyre

Aktiviteti i pare për vitin 2016 do të jetë organizimi, bashkëpunimi me UNDP-në, i një workshop mbi standardet, normat dhe rregulloret e ndërtimit, analizimi i boshllëqeve dhe evidentimi i masave e hapave që duhen ndermarrë dhe aktorëve që duhen angazhuar.

“Këto janë fusha që ne i trajtojmë në fakultet me studentët e doktoraturës, lidhja e të cilave me aktivitetin e Entit do të sjellë risi dhe benefite, jo vetëm në aspektin akademik të studimeve, por edhe në lidhjen e punës së studentëve me praktikën. Shpresojmë që ky bashkëpunim të vazhdojë dhe të zgjerohet edhe me hapa më të mëdha”, ka përfunduar fjalën e tij Z.Andrea Maliqari.

Ndërsa përfaqësuesit e dy institucioneve kanë nënshkruar marëveshjen dy palëshe, duke trokitur gotat për një vit sa më efiçientë e të mbarë me sa më shumë risi positive.

 

5032 Total Views 2 Views Today