Ndërtojmë banesa me kosto të ulët, nënshkruajmë marrëveshjen e bashkëpunimit me Bashkinë Durrës

Rritet numri i bashkive që nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi me Entin Kombëtar të Banesave. Së shpejti fillojmë një projekt të ri në qytetin e Durrësit, i cili do të pasohet me projekte të tjera. Konkretisht do të financojmë dhe ndërtojmë një godinë 6-katëshe me 30 apartamente banimi me kosto të ulët për familjet me të ardhura të ulëta apo të mesme. Objekti do të ndërtohet në një zonë hyrëse të qytetit, në katet e para do të ketë mjedise shërbimi dhe njëkohësisht do të parashikojë parkime sipas standardeve në fuqi. Objekti i ndërtimit do të plotësojë parametrat për efiçiencë energjie, një nisme në të cilën EKB është në pararojë në treg.

Gjatë takimit të zhvilluar në Bashkinë Durrës për nënshkrimin e marrëveshjes u diskutua mbi mundësinë e projektimeve të reja, ku përveç vënies në dispozicion të shesheve për ndërtime, të shikohet si alternativë rizhvillimi i zonave të kabinave të vjetra të plazhit të Durrësit, të cilat janë tejet të degraduara dhe familjet banojnë në kushte tepër të vështira. Ky projekt do të konceptohet në formën e një projekti partneriteti, palët e të cilit janë Enti që financon me të ardhurat e veta, Bashkia dhe familjet që banojnë në to, të cilat do të përfitojnë banesë në ndërtimet e reja. Nga ana e tij Z.Vangjush Dako falenderoi Entin Kombëtar të Banesave për rolin e tij të rëndësishëm në zbatimin e politikave sociale, duke kontirbuar me projekte dhe ide të reja strehimi në ndihmë të komunitetit në nevojë. Ndërsa Znj.Doris Andoni, Drejtoreshë e Përgjithshme e EKB-së, e cilësoi këtë marrëveshje si një shembull bashkëpunim në shërbim të trajtimit të familjeve me strehim, duke kërkuar nga bashkia mundësinë e përshpejtimit të procedurave për shpalljen e familjeve përfituese nga programi i banesave me kosto të ulët që do të akomodohen në këtë objekt të ri banimi.

Kjo marrëveshje e re është në rrjedhën e nismës së ndërmarrë nga EKB “Partneritet në ndihmë të familjeve në nevojë”, duke investuar në zona të ndryshme të Shqipërisë, duke mbështetur kërkesat për strehim nga familjet me të ardhura të ulëta. Një suport i rëndësishëm në këto projekte janë edhe dy marrëveshjet e nënshkruara me “AlphaBank” dhe “BKT”, për t’i ndihmuar familjet që do të trajtohen me strehim, duke u kredituar me kushte lehtësuese dhe më të përballueshme me norma interesi më të ulëta. Falenderojmë Kryetarin e Bashkisë për besimin dhe për bashkëpunimin e deritanishëm në mbështetje të familjeve në nevojë për strehim. Së shpejti me projekte të reja ndërtimi, punojmë për strehimin, në shërbim të komunitetit.

996 Total Views 2 Views Today