Punojmë me bashkitë për komunitetet-këtë herë jemi në Korçë

Diskutojmë me dy nenkryetarët e bashkisë Z.Stefan Gërmenji dhe Znj.Benilda Terova, me përfaqësuesen e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe përfaqësuesit e dy bankave, me të cilat kemi lidhur marrëveshje bashkëpunimi, për t’i mundësuar Erjonit-banorit të 35-të të pallatit të ndërtuar nga Enti në Korçë kreditim me kushte të përballueshme. Erjoni ka disa vite që ka aplikuar për strehim. Ai ka pritur 12 vjet për këtë ditë. Ndërkaq ai është martuar e ka krijuar familje, por vazhdonte të banonte në një banesë me qira. Erjoni është i punësuar në një biznes privat, por nuk ka të ardhura të mjaftueshme për të përballuar blerjen e një banese me çmimet e tregut të banesave dhe atyre të kredive. Por ai dhe familja e tij mund të përballojnë blerjen e banesës që Enti ua shet me kosto si edhe kushtet e kredisë së lehtësuar me njërën prej bankave, me të cilën Enti ka nënshkruar marrëveshje.

Më pas me përfaqësuesen e Zyrës Rajonale të Punësimit, Znj.Elena Zhapa, diskutuam për gjetjen e rrugëve dhe alternativave të mundshme për të ndihmuar nëpërmjet punësimit familjet e klasifikuara “debitore”. Këto familje kanë përfituar ndër vite nga programet e strehimit, por rrezikojnë të nxirren nga banesat për shkak të mos pagimit të detyrimeve financiare. Një pjesë e këtyre familjeve kthehen në debitorë ndaj Entit për shkak të rënies së të ardhurave, që në përgjithësi vjen nga papunësia. Diskutuam me zyrën e punës mundësitë e punësimit të anëtarëve të familjeve debitore si edhe trajnimin e tyre.

Për ta mbyllur këtë aktivitet përfaqësuesit e Entit kanë zgjedhur që të jenë të pranishëm në momentin e dorëzimit të çelësit blerësit më të fundit të apartamentit me kosto të ulët në Korçë.

Patëm dëshirën për të shoqëruar Erjonin drejt apartamentit të tij, i cili ndodhet në katin e 8-të të objektit me një pamje të mrekullueshme të malit të Moravës.

Ne jemi gati për të filluar investimin e ri në qytetin e Korçës-banesën me kosto të ulët dhe efiçiencë energjie.

4736 Total Views 2 Views Today