Strehimi social, Gjermeni:Bashkëpunimi me Bashkitë rol kyç

FIER, 20 Maj/ATSH/- 75 familje fierake, të cilat nuk përballojnë pagesën për blerjen e një banesë me çmimet e tregut, shumë shpejt do të kenë shtëpitë e tyre. Enti Kombëtar i Banesave, nëpërmjet një fondi prej 173 milionë Lekë ka mundësuar ndërtimin e dy pallateve, në truallin, në pronësi të bashkisë së Fierit.

Punimet për ndërtimin e dy pallateve janë inspektuar sot nga Ministrja e Zhvillimit Urban, EglantinaGjermeni, e shoqëruar nga kryebashkiaku ArmandoSubashi, prefekti i qarkut Fier, Xhevit Bushaj dhe drejtorja e EKB, Doris Andoni.

Ministrja Gjermeni theksoi se një ndër elementët më pozitivë është përdorimi i parametrave termoizolues në ndërtimin e banesave. http://www.zhvillimiurban.gov.al/al/multimedia/video-galeri/ministrja-gjermeni-inspekton-banesat-sociale-ne-fier

“Këto dy pallate janë ndërtuar me termoizolim, si pjesë e projektit për eficiencën e energjisë dhe kanë qenë të parat të ndërtuara me këto parametra nga EKB. Kështu do të veprohet për të gjitha banesat e tjera. Ky element është ndihmës për të gjithë qytetarët që do të strehohen këtu, pasi, veç faktit që nuk ndotet mjedisi, fatura e energjisë elektrike reduktohet me 50%. Problemet e strehimit na prekin të gjithëve. Ne po mundohemi që, qoftë përmes strategjisë 10 vjeçare të strehimit që kemi hartuar, apo përmes ndryshimeve ligjore me të cilat po punohet, të mund të adresojmë nevojat e qytetarëve për strehim, përmes programeve të ndryshme. Një prej Tyre është ai i bonusit të strehimit. Jemi në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha bashkitë për të ndihmuar bashkitë për këtë problem”, tha mes të tjerash Ministrja e Zhvillimit Urban.

Kryetari i bashkisë së Fierit, Armando Subashi duke iu përgjigjur interesimit të mediave, tha se shpërndarja e banesave do të bëhet në bazë të kritereve që plotësojnëfamiljet aplikuese.

“Për të qenë transparentë, të gjithë jemi dëshmitarë për mënyrën se si banesat sociale janë shpërndarë në tëkaluarën. Kategoria e familjeve që përfitojnë nuk varet as nga ne, as nga Ministria e Zhvillimit Urban apo nga Enti Kombëtar i Banesave, por vetëm nga kriteret qëpërcaktohen në vendimin përkatës të Këshillit tëMinistrave. Mbi bazën e këtyre kritereve do të bëhet pikëzimi dhe renditja, për të nisur më pas shpërndarjen e banesave”, deklaroi Subashi.

Diferenca mes vlerës së banesave në treg dhe çmimit me të cilin EKB i shet këto banesa është minimalisht20% më e ulët. Dhe sipas drejtores së EKB, DorisAndoni, krahasuar me zona të ndryshme të qyteteve këto çmime variojnë.

“Ne kemi përmirësuar cilësinë duke e mbajtur koston të ulët, për shkak të një procedure të hapur konkurrimi. Duke qenë se bashkia ka marrë përsipër koston e infrastrukturës përreth, kjo vlerë zhvishet nga kostoja e përgjithshme. Nuk do ishim këtu nëse nuk do të kishim mbështetjen e MZHU dhe prioritetin, që Ministrja Gjermeni ka në mënyrë të veçantë për strehimin dhe përqendrimin e vëmendjes në ato bashki, që përgjigjen jo vetëm përmes vënies në dispozicion të truallit, por edhe nëpërmjet interesit që ato kanë për t’u ardhur në ndihmë familjeve në nevojë”, tha Andoni.

Në të gjithë vendin rreth 30,000 familje kanë aplikuar për strehim.

Nisur nga mungesa e të dhënave statistikore të sakta në lidhje me problematikën e strehimit në bashki dhe pas reformës së re territoriale, Ministria e Zhvillimit Urban dhe PNUD ka nisur punën për krijimin e databazës për strehimin. Kjo databazë do të shërbejë si pjesë thelbësore edhe për krijimin e dixhitalizimit të ofrimit të shërbimit të strehimit në të 61 bashkitë e vendit për të cilën MZHU po punon sërish me ekspertizën e ofruar nga UNDP.

1210 Total Views 4 Views Today