Efiçienca e energjisë dhe banesat me kosto të ulët- analiza e sfidave nëpërmjet një projekti

Konferenca: HABITATI 3, Takim Rajonal Europian dhe Amerika Veriore

Si të përmirësojmë cilësinë e jetesës së familjeve me të ardhura të ulta, duke  reduktuar kostot e tyre për energjinë? A duhet të investojmë drejt ndërtimit të banesave me efiçiencë energjie, nëse kostot ekstra nuk paguhen përmes kursimit në faturat e energjisë? Cilat instrumente politike janë të disponueshme dhe cilat instrumente financiare mund të përdoren?

Këto ishin disa nga pyetjet që u adresuan në takimin e organizuar nga Enti Kombëtar i Banesave në Pragë gjatë zhvillimeve të Konferencës Rajonale Europiane për Strehimin. Takimi, i cili u hap nga Znj.Eglantina Gjermeni, Ministre e Zhvillimit Urban dhe Z.Christian Friis Bach, Sekretar Ekskluziv I UNECE në Gjenevë, kishte në fokus prezantimin dhe nxitjen e diskutimeve mbi zhvillimet më të fundit në implementimin e efiçiencës së energjisë në banesa në Shqipëri, duke e ndarë këtë eksperiencë me shtetet e tjera të Evropës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (vendet e rajonit të UNECE). Efektiviteti ekonomik i investimit për kategorinë e familjeve me të ardhura të ulëta dhe mekanizmat financiar për efiçiencën e energjisë, ishin dy pikat kyçe të diskutimit.

Diskutimet ishin ndarë në dy panele:

Paneli 1-Paneli i ekspertëve nga vende të ndryshme, ku u diskutua mbi mundësitë që mund të gjenden për implementimin e efiçiencës së energjisë në vendet kandidate dhe anëtare të EU-së, por edhe iniciativa të tjera si: skema të reja financiare, rolin e autoriteteve vendase, përfshirjen e sektorit privat, rolin e bankave, etj.

Paneli 2- Paneli i organizatave ndërkombëtare, ku u diskutua mbi zhvillimin e qëndrueshëm të integruar urban të qyteteve për të ardhmen.

Në prezantimin e saj Znj.Andoni foli mbi programin e efiçiencës së energjisë në banesat e reja që ndërton Enti dhe sfidat, me të cilat është ndeshur zbatimi i tij, ndër të cilat u përmendën:

Sfida A: Në mungesë të politikave mbi efiçiencën e energjisë në banesa, çfarë do të konsiderojmë ne banesë me efiçiencë energjie?

Sfida B: Cilat standard për efiçiencën e energjisë do të përdorim?

Sfida C: Cili do të jetë niveli i rritjes së kostos për shkak të investimit për efiçiencën e energjisë, do të konsiderohet e pranueshme (përcaktimi i kostos optimal)?

Sfida D: Çfarë metodologjie do të përdorim për llogaritjen e efiçiencës së energjisë?

Së fundi, por jo nga rëndësia: A mundemi ne të adresojmë të njëjtat kategori qytetarësh në realizimin e këtyre projekteve pa asnjë mbështetje financiare?

Aktiviteti ngjalli interesimin e audiencës, të cilët pasuan me pyetje e diskutime.

Hapat tona të para në këtë rrugëtim dy-vjeçar për promovimin e zgjerimit të efiçiencës së energjisë në ndërtime, i kanë fillesat që në vitin 2014 me vizionin e realizimit të një projekti të ri. Në këtë kuadër ndërmorrëm organizimin e një ëorkshop me temë: “Efiçienca e energjisë në strehim për një zhvillim të qëndrueshëm”, me qëllim ndërgjegjësimin e aktorëve të ndryshëm mbi përfitimet që ka biznesi, familjet, ekonomia dhe mjedisi nga banesat ekologjike. Një nga arritjet e këtij workshop ishte edhe identifikimi i një rrjeti ekspertësh vendas, të cilët janë angazhuar më pas dhe na kanë mbështetur në këtë rrugëtim dy-vjeçar.

Gjatë vitit 2015, me mbështetjen financiare dhe teknike të partnerit tonë kryesor PNUD, u realizua hartimi i Termave të Referencës dhe u organizua konkursi i projektimit për ndërtimin e 70 apartameteve me kosto të ulët dhe efiçiencë energjie në qytetin e Korçës. Për të mbështetur realizimin e projektit-pilot, Drejtoria Rajonale Korçë mundësoi një vëzhgim, në formën e pyetsorit me qytetarë të strehuar në banesat e ndërtuara nga EKB. Qëllimi i këtij pyetsori ishte vlerësimi i nivelit të konsumit të energjisë, kryesisht për ngrohje i apartamenteve me sipërfaqe 66.5 m 2 dhe i konfortit të familjeve me të ardhuara mesatare mujore 32.430 mij lekë (235 euro).(Më shumë informacion mbi pyetsorin mund të gjeni këtu https://ekb.gov.al/projekt-pilot/.). Pyetsori përmbante 24 pyetje dhe ishte ndarë në dy pjesë: Familja dhe banesa; Konsumi i energjisë dhe burimet. Konstatimet e pyetsorit:

  • Sistemi i ngrohjes është në 95% të rasteve individual për çdo dhomë
  • 100% e familjeve përdorin lëndën drusore si burim energjie për ngrohje
  • Asnjë familje nuk përdor ftohjen e ambienteve gjatë stinës së verës
  • Një familje konsumon në periudhën e dimrit mesatarisht 14 lata dru (ekuivalente me 5.6 m 3), e cila përkthehet në një kosto prej 25.200 lekë në vit.

Disa rezultate nga pyetsori:

  • Kostoja vjetore për ngrohje me lëndë drusore rreth 30.000 mij lekë (217 euro)
  • Mesatarisht çdo familje shpenzon rreth 12% të të ardhurave të saj mesatare për energjinë elektrike e ngrohjen e vetëm një dhome
  • Energjia e konsumuar për ngrohje, mesatarisht 50 kwh/m2/vjeçare, dhe në total 344 kwh/m2/vjeçare

Jemi të bindur se me këto të dhëna, investimi në banesa me efiçiencë energjie nuk do të ndikojë në kursimin e energjisë, të cilën qytetarët e kursejnë duke mos e përdorur, por në rritjen e konfortit dhe përmirësimin e shëndetit.

5650 Total Views 2 Views Today