Bashkia Korçë i dhuron Entit Kombëtar të Banesave 1700 metra katrorë truall për strehimin e familjeve në nevojë
Rritja e efiçencës së energjisë në banesa është një ndër risitë më të fundit të Entit Kombëtar të Banesave, i cili është angazhuar në realizimin e një projekti-pilot për ndërtimin e një banese me kosto të ulët, ku do të aplikohet kjo metodë ndërtimi.
Nën logon “Efiçenca e Energjisë” është zhvilluar konkursi i projektimit për ndërtimin e banesave me kosto të ulët për strehimin e familjeve në nevojë. Në aktivitetin e organizuar me bashkëpunimin e Bashkisë Korçë, ku do të realizohet kjo nismë e re, 4 studio arkitekture kanë prezantuar projekt-planet e tyre përballë komisionit me anëtarë: Dr.Adil Lari arkitekt dhe menaxher i Austrian Consulting Engineers Group; Z.Gjon Radovani, arkitekt, Zëvendës ministër në Ministrinë e Zhvillimit Urban; Z.Gjergji Islami arkitekt, zëvendës Dekan i Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanizimit në Universitetin Politeknik të Tiranës; Z.Adrian Islami, specialist në Drejtorinë e Efiçencës së Energjisë në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë; Z.Sokol Dervishi, Drejtor i Departamentit të Arkitekturës në Universitetin privat Epoka; Znj.Rajmonda Stefa, ekonomiste, Zëvendës Drejtor i Përgjithshëm i Entit Kombëtar të Banesave, Znj.Mimoza Kondili, inxhiniere, specialiste në Drejtorinë Teknike në Entin Kombëtar të Banesave.
Drejtoresha e Përgjithshme e Entit Kombëtar të Banesave, Znj.Doris Andoni, ka hapur këtë aktivitet duke theksuar rëndësinë dhe risitë e aplikimit të efiçencës së energjisë në ndërtimin e banesave me kosto të ulët, si një vlerë në përmirësimin e cilësisë së jetesës dhe kursimin e shpenzimeve për pagesën e faturave të energjisë elektrike.
“Ky konkurs ka një mision të madh – të përçojë mesazhe besimi në familjet në nevojë për strehim, të përçojë mesazhe sensibilizuese mbi nevojën për të diskutuar më seriozisht mbi banesat sociale dhe mbi nevojën për të marrë masa për kursimin e energjisë, duke e parë jo vetëm në aspektin e përfitimit ekonomik të vendit, por, në rastin tonë, duke konsideruar përfitimin ekonomik të familjeve që do të banojnë në këto banesa”, është shprehur Znj.Andoni duke ia lënë rradhën kreut të Bashkisë Korçë, Z.Sotiraq Filo.
Gjatë fjalës së tij Z.Filo ka falenderuar këtë nismë të EKB-së duke shfaqur gatishmërinë për një bashkëpunim sa më efiçent në favor të strehimit të familjeve në nevojë. Për këtë projekt bashkia ka dhuruar një hapësirë prej 1700 metra katrorë truall, ku do të realizohet ndërtimi i një godine me 70 aparatmente. Në fjalën e tij Z.Filo është shprehur se, Bashkia Korçë është në mbarim e sipër të projektit për pajisjen e truallit me infrastrukturë në një sipërfaqe të konsiderueshme trualli, e cila do të vihet në dispozicion të strehimit të familjeve të reja. Ndërsa ka nënvizuar se është duke bashkëpunuar me Ministrinë e Zhvillimit Urban për rehabilitimin e njëgodine me qëllim kthimin në hapësira për strehimin e familjeve në nevojë.
Aktiviteti ka vijuar me nënshkrimin e kontratës së dhurimit të 1700 metra katrorë truall nga Bashkia Korçë për Entin Kombëtar të Banesave, ku do të aplikohet projekti i banesës me kosto të ulët dhe efiçencë energjie.
Qëllimi i këtij organizimi ishte paraqitja e 4 projekteve nga studiot e arkitekturës “D&C Partners”, “Metro Polis”, “SPHAERA”, “Studio-Rebus” pjesëmarrëse në këtë konkurs. Para komisionit secila nga studiot ka bërë një prezantim të shkurtër për ndërtimin e banesave me efiçencë energjie në bazë të termave të referencës. Pas fazës së pyetje-përgjigjeve komisioni brenda një afati 20 ditor do të caktojë një takim të dytë për diskutimin në detaj për secilin projekt me studiot përkatëse. Qëllimi i kësaj nisme të re është shumë-dimensionale, pasi përmirësimi i performancës energjitike të banesës ndikon: Në përmirësimin e kushteve të jetesës së banorëve; Në reduktimin e faturave të energjisë për ngrohje e ftohje; Një jetëgjatësi më të madhe të ndërtesës; Në kosto më të përballueshme mirëmbajtjeje; Në reduktimin e emetimeve të gazit karbonik (CO2).