NJOFTIM SHPALLJE VEND I LIRË PUNE “SPECIALIST I PROTOKOLL-ARKIVIT” NË DREJTORINË E SHËRBIMEVE MBËSHTETËSE TË EKB-SË

21.05.2021

Lloji i kontratës: Kontratë pune me afat të caktuar


Titulli i pozicionit: “Specialist Protokoll-Arkivit”


Drejtoria/Dega: Drejtoria e Përgjithshme e EKB-së


Vendndodhja: Qyteti Tiranë


Periudha e njoftimit: 15 ditë (21.05.2021– 04.06.2021)


 

Principet e Entit Kombëtar të Banesave

Integritet, Profesionalizëm, Përgjegjshmëri, Respekt për Diversitetet

 

Informacion i përgjithshëm

Enti Kombëtar i Banesave është institucion me vetëfinancim, në varësi të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, i pajisur me personalitet juridik, i krijuar për një kohëzgjatje të pacaktuar me Vendim të Këshillit të Ministrave nr.198, datë 04.05.1993, “Për krijimin e Entit Kombëtar të Banesave”.

 

Përgjegjësitë e vendit të punës

Kryen veprime për pranimin dhe regjistrimin e të gjithë praktikave në regjistrin e protokollit të EKB, të ardhura nëpërmjet postës zyrtare ose dorazi dhe pas vendosjes së numrit të protokollit dhe datës së hyrjes i dorëzon dosjen Drejtorit të Përgjithshëm brenda 1 (një) ore nga ardhja e praktikave.

Administron vulën zyrtare sipas legjislacionit në fuqi dhe e përdor atë kur shkresa është e plotësuar sipas rregullave të përcaktuara dhe vetëm kur ka nënshkrimin e Drejtorit të Përgjithshëm ose personit të autorizuar prej tij.

Disponon vulën e sekretarisë dhe e përdor atë sipas nevojave përkatëse.

Kryen shpërndarjen e shkresave/dokumentacionit në drejtori dhe sektorë sipas shënimeve të Drejtorit të Përgjithshëm ose personit të autorizuar prej tij.

Përgjigjet për ruajtjen e sekretit të çdo lloj akti që hyn apo del nëpërmjet protokollit.

Përgjigjet për arkivimin dhe ruajtjen e të gjitha shkresave zyrtare, akteve ligjore e nënligjore, urdhrave dhe udhëzimeve që nxjerr Drejtori i Përgjithshëm, korrespondencën e ardhur dorazi apo nëpërmjet postës dhe të gjithë dokumentacionin që përmbush kriteret në përputhje me ligjin nr. 9154, datë 06.11.2003 “Për Arkivat”, i ndryshuar, si dhe akteve të miratuara në zbatim të tij”.

Ndjek procedurën për nxjerrjen e dokumentacionit të nevojshëm sipas kërkesave të specialisteve, drejtuesve dhe personave të interesuar në zbatim të Ligjit nr. 119/2014, “Për të Drejtën e Informimit”, përgatit kopje të tyre dhe i paraqet ato për njësim me origjinalin te Drejtori i Përgjithshëm ose personi i autorizuar prej tij.

Nënshkruan së bashku me strukturën që kërkon dokumentacionin, shkresën përcjellëse që i dërgohet subjektit të interesuar.

Bën evidentimin, sistemimin dhe inventarizimin e dokumenteve arkivorë.

Bën arkivimin e dosjeve që vijnë nga drejtoritë/sektorët në Drejtorinë e Përgjithshme dhe degët rajonale.

Në fund të vitit përpilon pasqyrën emërtuese të çeljes së dosjeve për vitin në vijim, në bazë të kritereve arkivore që miratohet nga Drejtori i Shërbimeve Mbështetëse.

Brenda 6-mujorit të parë të vitit paraadhës mbyll dosjet e hapura sipas pasqyrës emërtuese të çeljes së tyre duke verifikuar tërësinë e dokumenteve dhe saktësinë e afateve të ruajtjes.

Çdo vit kontrollon dosjet që kanë plotësuar afatin e ruajtjes dhe pasi merr mendimin e strukturave përkatëse përgatit listën e dokumenteve të veçuara për asgjesim.

Merr pjesë në grupe të ndryshme pune të ngritura nga Drejtoria e Përgjithshme dhe ndjek procedurat e përcaktuara për realizimin e detyrës së ngarkuar.

Në funksion të kryerjes së veprimtarisë së Drejtorisë së Përgjithshme angazhohet nga drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Mbështetëse edhe me detyra të tjera specifike.

Kryen çdo detyrë tjetër që i ngarkohet nga Drejtori i Përgjithshëm i EKB-së.

Nuk evidentohen dhe nuk dorëzohen në zyrën e Protokoll/Arkivit, dokumentet me karakter të thjeshtë, si ato për lëvizje automjetesh, dokumente masive të llogarisë, magazinës apo të tilla si: fatura, mandat pagesa, fletë hyrje-dalje, fletë udhëtime dhe dokumente të tjera të së njëjtës natyrë.

 

Edukimi

Arsim i lartë.

Lloji diplomës: DNP (Diplomë e nivelit të parë) + Master, ose DIND (Diplomë e integruar e nivelit të dytë), si dhe diploma të barazvlefshme me to, sipas Ligjit të Arsimit të lartë.

Eksperienca në punë

Të ketë eksperiencë pune 3 (tre) vite.

Gjuhët e huaja

Për këtë vend pune nuk kërkohet domosdoshmërisht njohja e një gjuhe të huaj.

Dokumentet

Aplikimet janë të vlefshme kur përmbajnë dokumentet e kërkuara nga punëdhënësi dhe që janë dërguar nëpërmjet postës elektronike në adresën zyrtare (info@ekb.gov.al) ose me anë të postës zyrtare (me protokoll).

Aplikimi përmban:

  1. Kërkesë për aplikim.
  2. Curriculum Vitae, sipas formatit tip (shkarko formularin Ploteso Curriculum Vitae).
  3. Diplomë e arsimit të lartë (fotokopje e noterizuar)
  4. Listë notash (fotokopje e noterizuar)
  5. Librezë pune ose librezë e sigurimeve shoqërore
  6. Kartë identiteti,
  7. Çertifikatë familjare
  8. Dëshmi penaliteti, (e përditësuar tre muajt e fundit)
  9. Raport mjeko-ligjor.
  10. Dëshmi kualifikuese.
  11. Dy referenca nga punëdhësit e mëparshëm.

 

 

 

1623 Total Views 2 Views Today