Në Drejtorinë e Përgjithshme të Entit Kombëtar të Banesave u zhvillua analiza mbi veprimtarinë institucionale përgjatë vitit 2019. Nisur nga puna e kryer nga strukturat përkatëse të Drejtorisë së Përgjithshme dhe Degëve Rajonale, Enti prezantohet me disa arritje.
Konkretisht janë 195 familje që janë trajtuar me strehim në apartamentet me kosto të ulët të ndërtuara nga EKB nëpër rrethe, për të cilat është mundësuar lidhja e kontratave të shitjes.
Një element i rëndësishëm në ndihmë të urbanizimit të zonave ku investohet nga EKB, janë pikërisht njësitë e shërbimit të objekteve që i shërbejnë zhvillimit ekonomik. Aktualisht janë shitur 2 nga njësitë e shërbimit në objektin e banimit me 36 apartamente në qytetin e Durrësit dhe 3 njësi shërbimi në objektin e banimit me 38 apartamente në qytetin e Lushnjes. Ndërkohë që gjatë vitit 2020 do të punohet për shitjen e të gjitha njësive të shërbimit.
Në kuadër të bashkëveprimit institucional në ndihmë të familjeve në nevojë janë realizuar takime me kryetarët e Bashkive Kukës, Lezhë, Gjirokastër, Delvinë, Has, Korçë dhe Maliq mbi mundësitë e realizimeve të projekteve të reja të ndërtimit.
Për vitin 2019 të ardhurat janë realizuar në masën 102.7%. Por sërish edhe përgjatë vitit 2020 prioritet i punës do të jetë ulja e numrit të debitorëve dhe rritja e nivelit të arkëtimeve. “Vetëm nëpërmjet komunikimit të vazhdueshëm me debitorët, njohjes së situatës së tyre ekonomiko-sociale dhe evidentimit të problematikave që paraqesin, mund të rivendosen ritmet korrekte të pagesave”, është shprehur Z.Stefan Çipa, Drejtor i Përgjithshëm i EKB-së.