DEKLARATË: Reagim i Drejtorisë së Përgjithshme të Entit Kombëtar të Banesave (EKB)

Në vijim të rastit të publikuar më datë 18.02.2020 nga emisioni investigativ “Fiks Fare”, ku objekt diskutimi ishte lirimi dhe nxjerrja nga banesa e qytetares Znj.Fatime Spaneshi, qiramarrëse e banesës, ju informojmë se pas vendosjes në dijeni dhe shqyrtimit të çështjes, Drejtoria e Përgjithshme e Entit Kombëtar të Banesave ka reaguar menjëherë për korrigjimin e situatës së krijuar.

Në vijim të sa më sipër, procedurat për lëshimin e Urdhër Ekzekutimit për lirimin e banesës nga qytetarja Znj.Fatime Spaneshi janë kryer nga Dega Rajonale Durrës gjatë periudhës së dimrit në kundërshtim me Urdhërin nr.34 datë 23.12.2013 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Urdhërin nr.125 datë 31.10.2012 Për marrjen e masave ligjore në EKB për zbatimin e aktit normative nr.3 datë 01.08.2012 Për lirimin e banesave pronarëve të ligjshëm nga qytetarët e pastrehë, banues në banesat ish pronë e subjekteve të shpronësuara”, ku si rrjedhojë e këtij veprimi të kundraligjshëm të Degës Rajonale Durrës, qytetarja Znj.Fatime Spaneshi ka mbetur e pastrehë në stinën e ftohtë të dimrit, pa asnjë zgjidhje të ofruar për strehimin e saj.

Në këto kushte, Drejtori i Përgjithshëm i EKB-së ka marrë masa disiplinore të menjëhershme kundrejt personave përgjegjës, pezullim si dhe propozim për largim nga detyra të Drejtorit të Degës Rajonale Durrës, Z.H.L dhe vërejtje me paralajmërim për pushim nga puna të Specialistit Jurist, Z.S.M.

Ndër të tjera, në përmbushje të misionit të saj, për krijimin e mundësive për strehim të përshtatshëm dhe të përballueshëm, duke u mbështetur në aftësitë paguese të familjeve që kanë nevojë për strehim, EKB është duke marrë masat e nevojshme për mundësimin e strehimit për qytetaren Znj.Fatime Spaneshi për një periudhë të përkohshme deri në momentin e trajtimit të kësaj të fundit me banesë sociale me qira të subvencionuar nëpërmjet Bashkisë Durrës.

3926 Total Views 2 Views Today