
Në Takimin e Nivelit të Lartë për Rishikimin Afatmesëm të Agjendës së Re Urbane, të zhvilluar në Selinë e Kombeve të Bashkuara në New York, SHBA, Shqipëria u përfaqësua nga Drejtori i Përgjithshëm i Entit Kombëtar të Banesave, z. Besmir Hysa, i cili riafirmoi angazhimin e vendit tonë për zhvillim urban të qëndrueshëm dhe politika gjithëpërfshirëse të strehimit.
Gjatë këtij takimi të rëndësishëm ndërkombëtar, u theksua rëndësia e forcimit të bashkëpunimit ndërmjet shteteve dhe institucioneve për përmbushjen e objektivave të Agjendës së Re Urbane, me fokus në ndërtimin e qyteteve më të qëndrueshme, më gjithëpërfshirëse dhe më rezistente.
Në fjalën e tij, z. Hysa u shpreh:
“Qeveria Shqiptare e konsideron si një mundësi, por edhe si një përgjegjësi, ndërtimin e një të ardhmeje të bazuar në vizion, llogaridhënie dhe respekt për brezat që do të trashëgojnë atë që ndërtojmë sot. Shqipëria rikonfirmon angazhimin e saj të plotë ndaj Agjendës së Re Urbane dhe mbetet e përkushtuar të vijojë bashkëpunimin me të gjitha Shtetet Anëtare dhe UN-Habitat, në rrugëtimin drejt Konferencës së Katërt të Kombeve të Bashkuara për Banimin dhe Zhvillimin Urban të Qëndrueshëm.”
Pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë forum të nivelit të lartë konfirmon përkushtimin e saj për avancimin e politikave të qëndrueshme të strehimit, zhvillimin urban dhe forcimin e partneritetit me organizatat ndërkombëtare në funksion të përmirësimit të cilësisë së jetës së qytetarëve.
#EKB #Shqipëria #UN #UNHabitat #NewUrbanAgenda #Housing #SustainableDevelopment #UrbanDevelopment #AffordableHousing
