Enti Kombëtar i Banesave, Bashkia Kavajë, ZVRPP Kavajë dhe BKT, tryezë të rrumbullakët me familjet e shpallura fituese

Banesat me kosto të ulët

Familjet përfituese nga programi i banesave me kosto të ulët kanë pasur mundësinë që të informohen mbi procedurat dhe fazat që do t’i duhet të ndjekin për të finalizuar strehimin në apartamentet e godinës 8-katëshe të ndërtuar me fondet e EKB-së në Kavajë. Në formatin e një aktiviteti informues Enti Kombëtar i Banesave, në bashkëpunim me Bashkinë Kavajë kanë organizuar një takim me disa prej familjeve që janë shpallur përfituese me vendimin nr.46, datë 21.12.2015 të Këshillit Bashkiak të qytetit të Kavajës, me pjesëmarrjen edhe të përfaqësuesve të BKT-së (me të cilën EKB ka nënshkruar marrëveshje me kushte kreditimi lehtësuese), Zyrës Vendore të Rregjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Kavajë, Drejtorisë Rajonale të EKB-së Durrës si edhe drejtues të Entit.

Në prezantimin e saj Znj.Doris Andoni, Drejtori i Përgjithshëm i EKB-së, theksoi se roli i Entit është t’u vijë në ndihmë familjeve në nevojë strehimi, duke mbështetetur ato kategori që kanë një nivel të ulët mesatar të ardhurash nëpërmjet sigurimit të banesave me kosto të ulët, por me cilësi ndërtimi të lartë. Në sajë të marrëveshjes së bashkëpunimit, të nënshkruar me dy bankat BKT dhe Alpha Bank, të gjithë ato familje që nuk kanë mundësi shlyerje të menjëhershme vlerës së banesës, mund të aplikojnë për kredi me kushte më favorizuese e të përballueshme për të ardhurat e tyre. Ndërsa Zv.Kryetari i Bashkisë Kavajë, Z.Thoma Caushi, ka falenderuar EKB-në për bashkëpunimin, duke e cilësuar këtë projekt dypalësh si një hap të rëndësishëm në favor të familejve që ndodhen në pamundësi strehimi. Përfaqësuesja e BKT-së, Znj.Liljana Shkodra ka sqaruar se brenda ditës së premte do të jetë gati raporti i vlerësimit të apartamenteve që do të kryhet nga njëri prej specialistëve të bankës. “Familjet përfituese duhet të paraqiten pranë degës së BKT-së në Kavajë për të dorëzuar dokumentacionin e kërkuar. Me përfundimin e vlerësimit nga Banka të apartamenteve të ndërtuara nga EKB, e cila shërben për të përcaktuar vlerën e shumës së kredisë, banka fillon vlerësimin e aplikantëve që do të lidhin kontratë kreditimi”, ka shpjeguar Znj.Shkodra.

“Jemi munduar që të marrim ofertat më të mira nga bankat për t’i ardhur në ndihmë shtresës së nevoj, dhe bankat që na janë ofruar me nivele interesi kreditimi të ulët kanë qenë pikërisht BKT dhe AlphaBank, por ky nuk përbën detyrim për ju. Ju mund të paraqiteni në banka të tjera, ose të siguroni formën më të përshtatshme për ju për shlyerjen e vlerës së apartamentit”, është shprehur Znj.Andoni. Një nga kushtet kryesore për miratimin e kredisë është që pagesat e kësteve mujore të mos zënë më shumë se 30% të të ardhurave familjare. Ky është një kusht ligjor për t’u zbatuar, i cili tregon nëse familja ka mundësi ta përballojë ose jo këstin e kredisë.

Paralelisht me kontratën e kreditimit me bankën BKT, do të nënshkruhet edhe kontrata e shit-blerjes me barrë hipotekore me EKB-në, një kopje e së cilës do i dërgohet Zyrës Vendore të Rregjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.

Gjatë këtij aktiviteti përfaques nga 35 familjet e përzgjedhura përfituese janë interesuar për procedurën që do të ndiqet si edhe niveli i këstëve, duke kërkuar që gjatë fazës së vlerësimit të apartamenteve të ketë edhe përfaqëues nga Enti e Bashkia. Përfaqësues të bankës kanë ilustruar me shembuj variablin e këstit të kredisë në varësi së shumës së marrë dhe periudhës kohore për ta shlyer atë.

Në mbyllje të aktivitetit janë falenderuar të gjithë pjesëmarrësit për ndihmën dhe kontributin e dhënë, duke iu kërkuar familjeve që për çdo paqartësi apo informacion të paraqiten pranë degës së BKT-së, Drejtorisë Rajonale të EKB-së Durrës ose Bashkisë Kavajë.

 

5786 Total Views 2 Views Today