Planifikimi i të ardhurave që priten të realizohen gjatë vitit 2016 si dhe investimet e reja që mund të kryhen, kanë mbledhur në Drejtorinë e Përgjithshme të Entit Kombëtar të Banesave të gjithë krerët e Drejtorive Rajonale. Në një takim të kryesuar nga Drejtoresha e Përgjithshme e EKB-së Znj.Doris Andoni, me pjesëmarrjen e drejtuesve të drejtorive është diskutuar me detaje mbi mënyrën sesi duhet të operohet nga rrethet për të mundësuar vjeljen e kësteve të kredive të prapambetura.
Vizita në terren dhe takimi i drejtpërdrejtë i çdo qytetari që ka marrëdhënie kontraktuale me Entin jep një imazh real të situatës, njohje me problemet që kanë familjet, të cilat i bëjnë ato të kthehen në debitore ndaj Entit, si edhe na jep informacionin e mjaftueshëm për rrugët që duhet të ndjekim për t’i adresuar ato, duke siguruar kështu edhe planifikim sa më real.
Nga ana e Drejtorit Ekonomik, Z.Marko Dhana u theksua se një ndër pikat kyçe për vitin që vjen është diversiteti i burimeve të të ardhurave të Entit dhe rritja e nivelit të arkëtimit, ku në kushtet e mungesës së financimeve nga buxheti i shtetit dhe/ose ai i bashkive për strehimin, maksimalizimi i fitimit që gjeneron Enti nga aktiviteti i tij nëpërmjet rritjes së të ardhurave dhe uljes së shpenzimeve, është kyç për rritjen e investimeve në banesa të përballueshme.
Gjatë vitit 2016 planifikohen të mbyllen investimet në 4 objektet e banimit, përkatësisht në Berat, Fier, Lushnje e Librazhd, do të fillojë ndërtimi i dy objekteve të tjera, si edhe do të realizohet një projekt pilot për rekuperimin e disa objekteve të degraduara dhe kthimin e tyre në mjedise banimi.
Takimi ka vijuar me diskutime mbi problematikat në të cilat hasin Drejtoritë Rajonale, ku ndër të tjerat u përmend tejzgjatja e procedurave burokratike nga administratat e bashkive për miratimin e listave të përfituesve nga Këshillat Bashkiakë.
Drejtuesve Rajonalë iu kërkua një bashkëpunim më i ngushtë me bashkitë, për të bërë të mundur realizimin e projekteve të përbashkëta për strehim të përballueshëm.
Programi ekonomik dhe plani i investimeve për vitin 2016 do të përfundojnë më 20 Janar dhe do t’i paraqitem Këshillit Drejtues për miratim në mbledhjen e parë të vitit, e cila mbahet si rregull të premten e fundit të muajit.