“Mësoj për të punuar, punoj për t’u strehuar”, nismja jonë e kthyer në realitet me nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit me Shërbimin Kombëtar të Punësimit. Me synimin e asistimit të familjeve debitore që kanë përfituar strehim nga ne, por nuk kanë aftësi paguese për të shlyer detyrimet financiare, menduam t’i vijmë në ndihmë me anë të sigurimit të trajnimeve profesionale dhe mundësimit të punësimit me anë të Zyrave të Punës. Ky synim, kaq i rëndësishëm për ne, por mbi të gjitha për familjet që rrezikojnë strehimin, u konkretizua me mbështetjen e Shërbimit Kombëtar të Punësimit, në formën e një bashkëveprimi social në ndihmë të familjeve në nevojë.
“Lehtësojmë familjet debitore, duke evidentuar problematikat e tyre për identifikimin dhe adresimin efektiv të nevojave për punësim. Hartuam një politikë për klasifikimin e tyre, ristrukturuam detyrimet e tyre, i mbështetëm në çdo hap dhe vazhdojmë ta bëjmë, duke bashkëpunuar me zyrat e punësimit dhe trajnimit profesional, pasi jemi të bindur se problemi i këtyre familjeve nuk zgjidhet me “lëmoshë”, por duke I aftësuar për punë, në mënyrë që të sigurojnë të ardhura e të përballojnë strehimin e tyre”, është shprehur Drejtoresha e Përgjithshme e EKB-së, Znj.Doris Andoni gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes, në ambinetet ku po zhvillohet Panairi i Punës.
Konkretisht nga statistikat tona rezultojnë rreth 14% e familjeve që kanë përfituar strehim janë debitorë ndaj Entit dhe 54% e tyre janë të tillë për arsye ekonomike. Kjo skemë e re sociale do jetë një rrugëdalje për këto familje, të cilat do t’i mbështesim me anë të rishikimit të kontratave për të zgjatur afatet e shlyerjes së detyrimeve të prapambetura. Së shpejti do të jemi në Korçë për të nisur me hapat e parë të këtij projekti së bashku me Zyrën e Punës për të evidentuar aftësitë shëndetësore dhe fizike të familjeve debitore, duke i orientuar drejt formimit professional dhe punësimit.
Drejtori i Shërbimit Kombëtar të Punësimit, Z.Artur Micko e vlerësoi maksimalisht këtë nismë të Entit, duke ofruar mbështetje dhe gatishmërinë e tij në drejtim të avancimit të së drejtës së punësimit për shtresën në nevojë.
Skema nxitje punësimi, mundësi për përfshirje në kurse e trajnime profesionale, një bashkëveprim social për familjet në nevojë për strehim.
Së shpejti në Pukë për nënshkrimin e marrëveshjes tre-palëshe mbi fillimin e një projekti të ri!!