Seminar “Metodologjia e llogaritjes së kostos mesatare të ndërtimit dhe vlerat e shit-blerjes së banesave në tregun e lirë”

Kostoja mesatare e ndërtimit, një detyrë funksionale që realizohet prej 20 vitesh nga specialistët e Entit Kombëtar të Banesave, ka mbledhur në një takim konsultativ aktorë të njohur të fushës së ndërtimit për të diskutuar mbi përmirësimin e metodologjisë që përdoret në këtë llogaritje. I aplikuar për herë të parë në vitin 1995 me miratimin e Ligjit nr.8050, datë 15.11.1995, sipas së cilit qëllimi kryesor ishte përllogaritja e koefiçientit K (raporti midis kostos së ndërtimit me vlerën e apartamentit në tregun e lirë), kostoja mesatare e ndërtimit ka evoluar duke hasur një përdorim më të zgjeruar nga viti në viti.
Në fjalën e saj përshëndetëse, Drejtori i Përgjithshëm i EKB-së, Znj.Doris Andoni, theksoi rëndësinë e këtij takimi, si një mundësi për vjeljen e ideve dhe opinioneve të reja mbi atë çka mund të ndryshohet dhe risitë që mund të aplikohen në metodologjinë e llogaritjes së kostos mesatare

logo-adobe-pdf (për prezantimin klikoni këtu). Për një përmbledhje më të detajuar për panelin e pjesëmarrësve u prezantua një material i përgatitur nga specialistja e Drejtorisë Teknike të EKB-së, Znj.Mimoza Kondili, ku u paraqit struktura e kostos mesatare të ndërtimit dhe 3 projektet tip ku bazohet analiza e Entit

(logo-adobe-pdfprezantim ing. M. Kondili EKB). Për të ndezur diskutimin në sallë, Znj.Andoni prezantoi 4 pyetje kyç për panelin e pjesëmarrësve, konkretisht:A duhet të rrisim numrin e bashkive për të cilat llogaritet kostoja; A duhet të reflektojmë masat e ndryshme të efiçiencës sipas zonave klimaterike; A do të duhet në këtë rast të llogarisinim tre kosto mesatare në shkallë vendi; A duhet të aplikojmë në llogaritje tipe banesash që nuk përdoren më nga Enti?
Standardet e aplikuara në ndërtim dhe ndikimi i Entit në tregun e lirë të ndërtimeve krahas firmave private, ishte një pyetje që u ngrit në panel. Në përgjigje të kësaj pyetje Znj.Andoni sqaroi se EKB nuk synon të ndikojë në tregun e lirë për të krijuar konkurrencë, pasi Enti “kap” ato segmente klientësh që ngelen jashtë tregut, pasi nuk përbëjnë interes për firmat private të ndërtimit. “Për sa i përket standarteve të ndërtimit, kjo është një problematike ku hasim edhe ne vështirësi, sidomos gjatë specifikimit të termave të referencës. Për këtë arsye në bashkëpunim me UNDP-në kemi në plan të organizojmë një workshop mbi standardet, normat dhe rregulloret e ndërtimit, analizimi i boshllëqeve dhe evidentimi i masave e hapave që duhen ndërmarrë dhe aktorëve që duhen angazhuar”.
Përfaqësuesi i Universitetit “Polis” ka përgëzuar EKB-në për nismën e ndërmarrë në qytetin e Korçës për aplikimin e efiçiencës së energjisë në realizimin e 70 apartamenteve me kosto të ulët. Sipas tij “banesat e gjelbëra/ekologjike” janë e vetmja zgjidhje e mundshme që mund të çojnë në uljen e kostove për familjet më të ardhura të ulëta e të mesme, të cilët janë të detyruar të paguajnë tarifa të lartë për ngrohje-ftohje të apartamenteve të tyre në dimër e verë.
Nga ana e saj Znj. Andoni ka ngritur si shqetësim mungesën e studimeve dhe kërkimit shkencor për gjetjen e zgjidhjeve arkitektonike, inxhinierike dhe teknike që do të rezultonin me kosto të ulët. Kjo ka qenë edhe një ndër arsyet e realizmit të konkursit të projektimit në qytetin e Korçës, si dhe konkursi për projektuesit e rinj që synojnë të vënë në veprim mendjen e projektuesve dhe ndërtuesve, për të sjellë prezantime të reja mbi metodologjinë e ndërtimit të një banese me efiçiencë energjie.
Pjesëmarrës në këtë takim ishin edhe dy përfaqësuese nga INSTAT, të cilat prezantuan elementët që marrin në shqyrtim në matjen e tendencës së ndryshimit të çmimeve të banesave në treg. “Në analizën tonë me anë të anketave ne ndërtojmë një shportë prej 73 elementësh, nga të cilët 69 janë përkatësisht materiale ndërtimi. Në fund të përllogaritjeve shikojmë sesi lëvizin këto elemente dhe nëse tëndenca e kostos së banesës në treg të lirë është në rritje në krahasim me një periudhë të mëparshme”, u shpreh Znj.Luli.
Në mbyllje të këtij takimi u prezantua edhe nisma e re e EKB-së, e cili ka për qëllim reduktimin e kostos së ndërtimit të banesës. Konkretisht bëhet fjalë për një projekt rikonstruktimi të tre godinave në qytetin e Pukës me aplikimin e punës vullnetare, të cilat do të kthehen të përdorshme për strehimin e shtresave në nëvojë. Bashkëpunëtore e Entit do të jetë Drerjtoria Rajonale Lëvizëse e Formimit Publik që do të vërë në dispozicion një grup studentësh, të cilët do të ndjekin hap pas hapi ndërtimin e këtij objekti.
Në konkluzion u theksua se metodologjia e llogaritjes së kostos mesatare ka nevojë të reflektojë tipologjitë e reja të banesave, materialet e reja të ndërtimit, skemat e reja konstruktive, në mënyrë që Enti të bëhet shembull edhe për sektorin privat të ndërtimit.

6992 Total Views 2 Views Today