Trajnim 1-ditor për arkitektë e ndërtues mbi “Banesat me kosto të ulët dhe efiçiencë energjie”

“Banesa të Gjelbëra” është togfjalëshi i aktivitetit të organizuar nga Enti Kombëtar i Banesave në bashkëpunim me UNDP-në mbi vizionin e zhvillimit të ndërtimeve të banesave të gjelbra e iteligjente me një konsum minimal energjie. Efiçienca e energjisë, si një alternativë për strehim të përshtatshëm e me kosto të ulët ka mbledhur në një tryezë të rumbullakët arkitektë, inxhinierë e ndërtues që luajnë një rol të rëndësishëm në realizimin e programeve sociale të strehimit. Nën drejtimin e përbashkët midis Drejtorit të Përgjithshëm të Entit Kombëtar të Banesave, Znj.Doris Andoni dhe të përfaqësuesve të UNDP-së, Znj.Mirela Kamberi dhe Znj.Liljana Shkodra (BKT) është zhvilluar një trajnim 1-ditor me pjesëmarrës nga sektori public e privat, konkretisht: Ekspertë të EKB-së dhe të drejtorive rajonale Korçë e Berat, si Ministrisë së Zhvillimit Urban, Bankës Kombëtare Tregtare, e cila mbështeti financiarisht akordimin e çmimeve të projekteve fituese të UNDP, Bashkia Lushnje e Korçë, arkitektë e inxhinierë nga sektori privat, përfaqësues nga studio të arkitekturës që morrën pjesë në konkursin e projektimit për qytetin e Korçës të organizuar nga Enti.

“Enti Kombëtar i Banesave është një organ përgjegjës për ofrimin e strehimit të përballueshëm për familjet me të ardhura të ulëta dhe të mesme në Shqipëri”, është shprehur Znj.Andoni duke rikujtuar se Enti është në kërkim të qasjeve të reja dhe kreative për të ndihmuar në reduktimin e kostove të energjisë gjatë ciklit të shfrytëzimit të banesës për sigurimin e një strehimi me komoditet të përshtatshëm dhe të përballueshëm. Në këtë kuadër nga ana Znj.Mirela Kamberi (UNDP), Znj.Liljana Shkodra (BKT) dhe Z.Adil Lari (ekspert i angazhuar nga UNDP në kuadër të projektit të asistencës teknike) janë shpërndarë certifikatat e çmimit të parë, të dytë e të tretë për studio e arkitekturës që morrën pjesë në konkursin e projektimit për një banesë me efiçiencë energjie në Korçë, ku fituese e çmimit të parë u shpall studio “Metro Polis”. Për të rritur sensibilizim e projektuesve të rinj mbi potencialet e mëdha të sektorit të ndërtimit të banesave në drejtim të kursimit të energjisë e mbrojtjes mjedisore, si dhe në aspektin social, Enti në bashkëpunim me Ministrinë e Zhvillimit Urban dhe UNDP-në shpall konkursin e projektimit për të gjithë studentët dhe arkitektët e rinj për një banesë sociale dhe ekologjike në qytetin e Korçës.

Trajnimi u organizua në tre sesione prezantimi, gjatë të cilave eksperti i angazhuar nga zyra e UNDP-së, Z.Adil Lari, ofroi eksperiencën e tij 25-vjeçare në ndërtimin e banesave me kosto të ulët e efiçiencë energjie. Tematikat e leksioneve të Z.Lari ishin: Projektimi i godinës; Parimet kryesore të projektimit të godinës me efiçiencë energjie; Praktikat më të mira ndërkombëtare dhe Konkursi i projektimit në Korçë. Z.Lari theksoi se efiçienca e energjisë në ndërtesa është një teknologji e së ardhmes për të arritur një nivel më të lartë komoditeti dhe një mënyrë të re jetese në qytetet tona. Kjo lloj teknologjie është në të mirë jo vetëm të ndërtuesve dhe komunitetit, por edhe zhvillimit global duke reduktuar emetimin e gazit karbonik në mbrojtje të sistemit ekologjik.

Një vëmendje e veçantë gjatë diskutimit iu kushtua edhe projektit të Korçës për ndërtimi e banesës me kosto të ulët e ekologjike. Konkursi dhe projekti u mundësuan falë financimit të zyrës së UNDP-së në Tiranë dhe bashkëfinancimit nga të ardhurat e veta të Entit. Çmimi për fituesit e tre vendeve të para, e konkretisht: “Metro Polis”, “SPHAERA” dhe “Rebus” u mundësua nga Banka Kombëtare Tregtare. Arkitektët që realizuan këtë projekt shfaqën shqetësimet e tyre mbi vështirësitë e hasura gjatë punës, duke u konsultuar me Z.Lari për format dhe mënyrat sesi mund të veprojnë për të gjetur zgjidhje alternative.

Tematikat e prezantuara nga përfaqësuesi i UNDP-së, Z.Lari, ngjallën interesin e pjesëmarrësve, duke ngritur diskutime teknike mbi formën e ndërtimit, financimit dhe koston e “Banesave të Gjelbëra”.

Në fund të këtij aktiviteti u shpërndanë certifikata për të gjithë të pjesëmarrësit në trajnim. “Qëllimi ynë është të nxisim ide novatore për projekte të banesave sociale dhe ekologjike që realizohen me kosto të ulët, por jo me cilësi të ulët”, është fraza përmbyllëse e këtij aktiviteti.

6372 Total Views 2 Views Today