Avancojnë punimet në objektin e banimit 8-katësh që po realizohet me fondet e vetë EKB-së në qytetin e Gramshit. Drejtori i Përgjithshëm i EKB-së, Z.Stefan Çipa së bashku me përfaqësues te institucionit ka kryer një vizitë në sheshin e ndërtimit për të parë më nga afër punimet që po realizohen për këtë objekt, nga i cili do të mund të përfitojnë dhe trajtohen me strehim 35 familje të pastreha.
Ky projekt ndërtimi është në vazhdën e nismës së ndërmarrë nga EKB për nënshkrimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit me bashkitë me qëllim vënien në dispozicion të shesheve të ndërtimit për investimin me fondet e EKB-së si një alternativë për zgjidhjen e problematikës së strehimit dhe trajtimin me strehim të familjeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme që nuk kanë mundësi për të blerë një banesë në treg të lirë.
Aktualisht punimet në këtë objekt kanë avancuar, është drejt përfundimit fasada dhe po vijohet me montimin e dyerve dhe dritareve.