Më 2 Korrik Asambleja e Përgjithshme e Federatës “Housing Europe” miratoi anëtarin më të ri në gjirin e saj – Entin Kombëtar të Banesave. Tashmë çdo vendim-marrje e Federatës do të marrë edhe miratimin me votë të përfaqësuesit të Entit.
Gjatë mbledhjes së Asamblesë Drejtoresha e Përgjithshme e Entit – Znj. Doris Andoni – prezantoi profilin e Institucionit që ajo drejton, arritjet dhe sfidat me të cilat përballet sektori i strehimit në vend dhe rolin qe ka luajtur Enti në adresimin e tyre.
Ajo theksoi se anëtarësimi i Entit është një arritje që do të shfrytëzohet për të gjeneruar bashkëpunime, shkëmbime eksperiencash dhe asistencë për të aplikuar për financime. Njëkohësisht anëtarësimi i një institucioni nga një vend jashtë BE do ti sjellë Federatës një frymë të re dhe një perspektivë tjetër të problemeve të strehimit dhe adresimit të tyre. Kësisoj ky anëtarësim sjell një përfitim të dyanshëm.
Pas votimit dhe miratimit të aplikimit për anëtarësim, Presidenti i Federatës – Z. Marc Calon, njëkohësisht kryetar i Aedes, organizata ombrellë e korporatave të strehimit në Holandë – falënderoi Znj. Andoni për frymën entuziaste që solli në mbledhjen e Asamblesë dhe i uroi Entit mirëseardhjen në Federatë. Ai vuri theksin veçanërisht tek ato që përbënin edhe fjalët kyçe në prezantimin e Znj. Andoni: nevoja për inovacion në politikat e strehimit për të adresuar sfidat sociale, ekonomike e mjedisore të këtij sektori.
Kush është Housing Europe?
Housing Europe është Federata Evropiane e Agjencive të Strehimit Publike, Kooperative dhe Sociale (HU), e krijuar para 27 vitesh dhe e njohur me shkurtimin “CECODHAS”; Federata është “zëri” i sektorit të strehimit në Bruksel.
Në rrjetin e HU bëjnë pjesë:
- 4,500 organizata publike strehimi;
- 28,000 organizata të kooperativave të strehimit.
Ajo ka 42 anëtarë në 22 vende të BE (përfshihen këtu edhe Zvicera dhe Norvegjia). Në total, organizatat që përfaqësohen në HU, menaxhojnë 25 milion banesa, të cilat përbëjnë 12% të stokut ekzistues të banesave në Evropë.
Vizioni i Federatës është:
“Akses në strehim të denjë dhe të përballueshëm për të gjithë, në komunitete të qëndrueshme nga pikëpamja sociale, ekonomike dhe mjedisore …”
Federata drejtohet nga Bordi i Drejtuesve dhe është e organizuar në 5 komitete tematike pune:
- Komiteti Energjia & Ndërtimi;
Ky Komitet punon për të rritur eficiencën e energjisë në banesa të reja dhe në rinovimin e banesave ekzistuese, në mënyrë që të adresojë “varfërinë energjetike”, një nga çështjet alarmuese të sotme.
- Komiteti i çështjeve sociale;
Ky Komitet lufton kundër përjashtimit social dhe diskriminimit në strehim dhe për të rritur aksesibilitetin për njerëzit me aftësi të kufizuara
- Komiteti për çështje urbane;
Komiteti punon për një politikë të qëndrushme urbane që merr në konsideratë nevojat e njerëzve në rradhë të parë, përfshi: strehimin; transportin; planifikimin urban; konsumin e energjisë dhe çdo aspekt tjetër që ndikon jetesën moderne urbane.
- Komiteti për çështje ekonomike dhe financiare;
Ky komitet kërkon rrugët për gjetjen e financimeve të qëndrueshme afat-gjata dhe një kuadër politik të qëndrueshëm për këtë sektor.
- Komiteti kërkimor i Observatorit Evropian të Strehimit;
Filluar më 2004 është dega kërkimore e HU. Publikimi identifikon dhe analizon tendencat kyçe në fushën e strehimit dhe banesave sociale, duke mbështetur kështu punën për hartimin e politikave.
Anëtarësimi i Entit në këtë organizatë Evropiane strehimi konsiderohet me avantazhe në disa drejtime:
Së pari, është një hap drejt institucioneve Evropiane dhe, strehimi, në mungesë të një përqasje të unifikuar në BE, e ka gjithmonë të vështirë “të dalë mbi sipërfaqe” e t’i dëgjohet zëri. HU bën pikërisht këtë: përcjell shqetësimet e vendeve anëtare në instancat më të larta të BE. Ajo gjithashtu lobon për të mbrojtur të drejtat e anëtarëve të saj, bën oponencë ligjeve që kalojnë në Parlamentin Evropian, të cilat prekin strehimin
Së dyti, edhe pse HU është federatë e Agjencive të strehimit (pra jo përfaqësuese e vendeve anëtare), ajo përsëri shërben si platformë për adresimin e problemeve në nivel politik-bërje.
Së treti, Federata lobon për interesat e anëtarëve dhe ndihmon për të aksesuar fondet e BE. Në këtë mënyrë do të kemi më shumë shance për të gjetur rrugën e drejtë për aplikime për fonde në mbështetje të politikave të strehimit.
Së katërti, do të jemi më shumë pranë të rejave, tendencave dhe vendimarrjeve të BE dhe do të kemi mundësi të lobojmë për adresimin nga BE të çështjeve prioritare.
Së pesti, është një avantazh për të marrë eksperiencat më të mira të mënyrës së organzimit dhe funksionimit të organizatave simotra të vendeve anëtare të BE.
Së fundi, do të mund të bëhemi pjesë e kërkimit shkencor në fushën e strehimit, duke u përfshirë në botimin Pan-Evropian “Gjendja e Strehimit në Evropë”, si edhe do të kemi më shumë mundësi për organizuar trajnime, seminare e workshop për çështjet prioritare në fushën e strehimit dhe planifikimit urban (që lidhen me strehimin).
Anëtarësimi në Federatën HE nuk sjell automatikisht më shumë banesa apo familje të strehuara për Shqipërinë, por pa dyshim i jep Entit autoritetin e një Institucioni serioz, dinjitoz e të besueshëm për të aplikuar për fonde si edhe i hap rrugën një bashkëpunimi Evropian në fushën e strehimit.
Vendimi për tu anëtarësuar në Federatën “Housing Europe” u muarr nga Këshilli Drejtues i Entit në mbledhjen e tij të muajit Mars, 2015, bazuar në relacionin e përgatitur nga Drejtori i Përgjithshëm. Puna për anëtarësimin e Entit ka filluar që vitin e kaluar dhe ka kaluar në disa faza e procedura paraprake.