Banesa me kosto të ulët, miratohet nga Bashkia Kavajë lista e familjeve përfituese

foto objekti kavaje

35 familje në qytetin e Kavajës kanë pritur për 4 vite miratimin për të përfituar një banesë me kosto të ulët, të ndërtuar nga Enti Kombëtar i Banesave. Pritjes së tyre, tashmë i erdhi fundi, Këshilli Bashkiak i qytetit të Kavajës, ka miratuar me 21.12.2015 vendimin për miratimin e familjeve që do të përfitojnë. Kjo u arrit fal bashkëpunimit dhe komunikimit të vazhdueshëm ndërmjet drejtuesve të dy institucioneve si dhe punës intensive të punonjësve të bashkisë dhe EKB-së për t’i ardhur sa më parë në ndihmë familjeve që prisnin me padurim për t’u trajtuar me strehim.

Gjatë vitit 2014 u ndoqën procedurat për kalimin e truallit në pronësi dhe regjistrimin e tij në emër të Entit. Gjatë vitit 2015 procesi i përzgjedhjes së familjeve përfituese u ngadalësua për shkak të zgjedhjeve vendore, por rifilloi me një ritëm më të përshpejtuar menjëherë pas konstituimit të Këshillit Bashkiak. Enti zhvilloi një sërë takimesh konsuluese dhe një trajnim me përfaqësues të bashkive mbi procedurat dhe kriteret e përzgjedhjes së përfituesve, ku morri pjesë edhe Bashkia Kavajë.

Objekti është një godinë banimi 8-katëshe me 35 apartamente ndërtuar në Lagjien nr.2, Rruga “Ceno Kavaja”. Punimet nisën në vitin 2009 dhe përfunduan në muajin shkurt të vitit 2011. Deri në mesin e vitit 2013 nuk ishte ndërmarrë asnjë hap për të zgjidhur problemet me pronësinë e truallit dhe regjistrimin e tij në emër të Entit, në mënyrë që të bëhej i mundur fillimi i shitjes.

Të gjithë qytetarët, të cilët janë përfitues nga programet e strehimit dhe nuk kanë mundësi shlyerje të menjëhershme të vleftës së banesës, ku do të strehohen, mund të aplikojnë për kredi në dy bankat e nivelit të dytë BKT dhe AlphaBank, me të cilat Enti ka lidhur marrëveshje bashkëpunimi për kredi me kushte më lehtësuese sesa tregu.

6134 Total Views 2 Views Today