Projekt për strehimin social, inagurohet nisja e ndërtimit të godinës së re me 40 apartamente në Fier
“Partneritet në ndihmë të familjeve në nevojë”, është motoja e re e Entit Kombëtar të Banesave, promovuar ditën e djeshme gjatë inagurimit të fillimit të punimeve për ndërtimin e një godine me 40 apartamente në lagjen “16 Prill” në qytetin e Fierit. Drejtues të Entit së bashku me përfaqësues të Bashkisë Fier kanë zhvilluar dy aktivitete në kuadër të politikave sociale të strehimit për këtë rreth. Znj.Doris Andoni, Drejtoreshë e Përgjithshme e Entit Kombëtar të Banesave, në bashkëpunim me kryetarin e bashkisë, Z.Baftjar Zeqaj, kanë inaguruar hapjen e punimeve për ndërtimin e një godine me 40 apartamente. Në fjalën e saj Znj.Doris Andoni theksoi se ky projekt është një shembull bashkëpunimi i Entit me bashkinë, në ndihmë të familjeve në nevojë. “Ky projekt është një mesazh optimizmi dhe shprese dhe një shembull i mirë bashkëpunimi që do të aplikohet dhe me organe të qeverisjes vendore në rrethe të tjera të vendit. Falenderoj kryetarin e bashkisë për bashkëpunimin model, për mbështetjen që i ka dhënë vazhdimisht projekteve të strehimit dhe për gatishmërinë në adresimin në kohë të të gjitha problemeve që kemi hasur gjatë gjithë ciklit të projektit, e cili ka ndikuar në rritjen e efiçencës dhe efektivitetit për realizimin e projekteve të strehimit të familjeve në nevojë”, është shprehur Znj.Andoni. Gjatë fjalës së tij Z.Baftjar Zeqaj falenderoi Entin për bashkëpunimin: “Sot po inagurojmë nisjen e punimeve për ndërtimin e një godine të re, që realizohet branda kompleksit urban, i cili ofron zgjidhje strehimi për familjet me të ardhura të ndryshme. Ky kompleks banimi integron dy programe strehimi; Atë për qytetarët që nuk kanë mundësi financiare dhe strehohen në banesa sociale me qera nga bashkia dhe atë për familjet me nivel mesatar të ardhurash, të cilët strehohen në banesa me kosto të ulët”. Vizita vijoi më tej në godinën e përfunduar, ku pritet që së shpejti të nis shitja e 35 apartamenteve. Pjesa e dytë e aktivitetit u zhvillua në sallën e mbledhjeve të Këshillit Bashkiak, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të bashkisë Fier, përfaqësuesve të dy bankave të nivelit të dytë BKT dhe AlphaBank, si dhe familjeve që kanë aplikuar për përfitimin nga programet sociale të strehimit. Në kuadër të këtij takimi u prezantua marrëveshja mes Entit dhe dy bankave, të cilat ofrojnë kushte më të favorshme dhe lehtësuese kreditimi nga qytetarët në nevojë strehimi. Në fjalën e saj Znj.Andoni u shpreh: “Enti Kombëtar i Banesave është një institucion me vetfinancim. Pagat, shpenzimet administrative dhe fondet e nevojshme për investim sigurohen nga gjenerimi i të ardhurave nga aktiviteti i tij. Një ndër format e operimit të Entii për t’i ardhur në ndihmë familjeve në nevojë është bashkëpunimi me bankat, për kreditim me kritere më të përballueshme për qytetarët”. Të gjithë qytetarët, të cilët janë përfitues nga programet e strehimit dhe nuk kanë mundësi shlyerje të menjëhershme të vleftës së banesës, ku do të strehohen, mund të aplikojnë për kredi në dy bankat e nivelit të dytë BKT dhe AlphaBank. Në këtë kuadër nga vetë përfaqësues të bankës u bë me dije se kjo skemë e re sjell afate më të gjatë kohore për shlyerjen e kredisë. Për t’i ardhur në ndihmë familjeve, bankat marrin përsipër që, për raste të veçanta afati i shlyerjes të shkojë deri në 35 vjet. Kjo gjë sjell uljen e kësteve mujore dhe i bën ato më të përballueshme për familjet. Për ta bërë sa më të qartë dhe të kuptushme këtë skemë të re, u krijuan simulime me familje qytetarësh, që kanë aplikuar për strehim: Një grua e divorcuar që ka në ngarkim dy fëmijë dhe një kryefamiljar që ka në ngarkim familjen e tij, vëllanë invalid dhe prindërit e moshuar. Hapë pas hapi familjet u paraqitën në zyrat e bashkisë (përfaqësuesja e bashkisë në takim). Përfaqësuesja e bashkisë, bazuar në strukturën familjare u bëri me dije të dy familjeve strukturën dhe sipërfaqen e apartamentit, ndërkohë që përfaqësuesja e Entit u bëri me dije çmimin e secilit apartament. Më pas familjet u drejtuan respektivisht njëra tek përfaqësuesi i BKT-së dhe tjetra tek përfaqësuesi i AlpaBank. Të dyja bankat llogaritën këstin e kredisë që do të duhet të paguajë familja, si dhe të ardhurat mujore të tyre. Gjatë këtij aktivite pati një numër shumë të lartë qytetarësh të interesuar për skemën e re të kreditimit, e cila është në kuadër të projekteve për strehimin social të familjeve në nevojë. Ky aktivitet ka prioritet forcimin e bashkëpunimit mes Entit, njësive të qeverisjes vendore dhe bankave, për mundësi kreditimi më të përballueshëm nga qytetarët në kushte të vështira ekonomike.