Rritet numri i bashkive që nënshkruajnë akt-marrëveshje bashkëpunimi me Entin Kombëtar të Banesave për strehimin e familjeve në nevojë. Kësaj here jemi në Kukës me një projekt të ri për ndërtimin e dy objekteve banimi me kosto të ulët dhe efiçiencë energjie.
Në takimin e zhvilluar ndërmjet kryetarit të Bashkisë Kukës, Z.Safet Gjici dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Entit Kombëtar të Banesave Z.Stefan Çipa u diskutua lidhur me detajet e këtij projekt të ri, i cili konceptohet në formën e një partneriteti. Konkretisht nga ana e Bashkisë Kukës do të vihet në dispozicion sheshi i ndërtimit, ku EKB me fondet e veta do të realizojë investimin për dy objektet e reja përkatësisht 6-8 kate banimi, ku do të aplikohet teknolgjia e efiçiencës së energjisë. Efiçienca e energjisë është një formë e re ndërtimi në shërbim të familjeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme mbi reduktimin e shpenzimeve ekstra për pagesat e energjisë elektrike për ngrohje-ftohje të ambienteve të banimit. Në fund të takimit u organizua edhe një vizitë në terren.
Kjo marrëveshje e re është në rrjedhën e nismës së ndërmarrë nga EKB “Partneritet në ndihmë të familjeve në nevojë”, duke investuar në zona të ndryshme të Shqipërisë, duke mbështetur kërkesat për strehim nga familjet me të ardhura të ulëta.