Investojmë në Has, zhvillojmë takim me kryetarin e Bashkisë

Banesat me kosto të ulët janë një alternativë për strehimin e të gjitha atyre familjeve apo individëve që nuk janë në gjendje ekonomike e sociale për të përballuar ofertën e tregut të lirë të banesave ose atë të kredive hipotekore. Enti Kombëtar i Banesave investon në Has për ndërtimin e një objekti banimi me 7 kate ambiente banimi, 1 kat njësi shërbimi, si dhe 1 kat nëntokë. Drejtori i Përgjithshëm i Entit Kombëtar të Banesave, Z.Stefan Çipa është takuar ditën e djeshme me kryetarin e Bashkisë së Hasit, Z.Liman Morina për të biseduar mbi vijueshmërinë e marrëveshjes së bashkëpunimit dhe angazhimeve dypalëshe.

Objekti i ri i banimit, i cili do të ndërtohet me të ardhurat financiare të EKB-së do të shërbejë për strehimin e familjeve që kanë aplikuar pranë Bashkisë Has për t’u trajtuar dhe përfituar nga programi social i banesave me kosto të ulët.

Z.Çipa së bashku me Z.Morina dhe përfaqësues të Entit Kombëtar të Banesave kanë inspektuar gjatë vizitës së djeshme në Has sheshin e ndërtimit, ku së shpejti pritet të fillojnë edhe punimet për asgjesimin e një godine të vjetër me qëllim nisjen e investimit nga ana jonë për realizimin e projektit të ndërtimit.

2729 Total Views 4 Views Today