Një delegacion italian i zonës së Pesaro Urbino së bashku me përfaqësues të sindikateve të konfindustrias është pritur në një takim nga Drejtori i Përgjithshëm i Entit Kombëtar të Banesave, Z.Stefan Çipa. Risitë teknologjike dhe implementimi i tyre në fushën e ndërtimit të banesave me kosto të ulët ishte në fokus të bisedës së zhvilluar.
Pjesëmarrës në këtë takim ishin Z.Palmiro Ucchielli, senator dhe kryetar i Bashkisë Vallefoglia, Z.Francesco Guazzolino, përfaqësues për marrëdhëniet ndërkombëtare të Konfindustrias të rajonit Marche, Znj.Mirella Gatturi, Presidente C.I.A Agrikultura e rajonit Marche, Z.Salvino Pozzi, Znj.Maria La Lourdes, Znj.Benilda Agau dhe Z.Edmond Kumaraku, shoqërues i delegacionit.
Gjatë bashkëbisedimit nga ana e përfaqësuesve të këtij delegacioni u parashtruan alternativa mbi mundësinë e bashkëpunimit dy palësh dhe shkëmbimin e eksperiencës lidhur me objektin e veprimtarisë së EKB-së në investimin e banesave me kosto të ulët sipas standardeve dhe inovacioneve teknologjike si dhe materialeve që përdoren në fushën e ndërtimit. Gjithashtu u diskutua forma e organizimit dhe e financimit në fushën e strehimit që përdoren në vendet respektive.