Banesat me kosto të ulët, si një alternativë e strehimit të përballueshëm, ka mbledhur në një takim disa prej bashkive me Drejtorinë e Përgjithshmë të Entit Kombëtar të Banesave. Aktiviteti është organizuar në formën e një bashkëbisedimi, ku tema kryesore ishte mënyra sesi duhet të operojnë bashkitë në përcaktimin e përfituesve të banesave me kosto të ulët. Përzgjedhja e përfituesve dhe miratimi i tyre nga Këshillët Bashkiakë është një hallkë kyçe që ndikon në efiçencën e investimit. Nën drejtimin e Drejtoreshës së Përgjithshme të EKB-së, Znj.Doris Andoni, si dhe me praninë e drejtuesve kryesore të Entit, janë ftuar të marrin pjesë bashkitë, ku aktualisht Enti me fondet e veta ka përfunduar apo ka nisur nga puna për ndërtimin e godinave me kosto të ulët. Të ftuar kanë qenë përfaqësues të bashkive Kavajë, Lushnje, Fier, Berat, Librazhd dhe Korçë, të cilat kanë pasur të nevojshme konsulencën e EKB-së për formën, mënyrat dhe kriteret që duhet të zbatohen në përzgjedhjen e qytetarëve përfitues të programeve sociale të strehimit, në rastin konkret të banesave me kosto të ulët.
Gjatë këtij aktiviteti, i cili ka zgjatur përafërsisht dy orë, përfaqësuesit e bashkisë kanë diskutuar për problematikat që hasin më shpesh në zbatimin e legjislacionin adresimin e problemeve të qytetarëve, që aplikojnë për banesa me kosto të ulët. Një ndër problemet kryesore i përket të ardhurave mesatare mujore që duhet të kenë familjet përfituese, në rastet kur familja aplikon për të marë një kredi me kushte lehtësuese për shlyerjen e vlerës së apartamentit. Niveli i të ardhurave familjare që duhet të ketë familja për të përballuar blerjen e banesës me kosto të ulët përcaktohet nga Enti, bazuar në kushtet e kreditimit të dy bankave, me të cilat Enti ka lidhur marëveshje bashkëpunimi dhe konkretisht Bankat BKT dhe Alfa. Një pikë tjetër, ku u ndalua gjatë diskutimit, është sistemi i pikëzimit, i cili miratohet me Vendime Këshillësh Bashkiak për çdo projekt të ri. Në hartimin e këtij sistemi bashkitë duhet të bazohen në kushtet e strehimit, familjare, sociale dhe ekonomike. Një formë e re në kuadër të programeve sociale të strehimit është edhe shitja me kontratë sipërmarje për shitjen e banesave që në fazën e ndërtimit. Avantazhet janë disa dimensionale: Familja ka mundësi të kursejë një pjesë sado të vogël të parave për të kryer pagesat e nevojshme gjatë fazës së ndërtimit; Enti siguron rimbursimin e menjëhershëm të investimit, sapo objekti ka përfunduar dhe është regjistruar në ZRPP; Krijon. një marëdhënie besimi me bankën dhe lehtëson disbursimin e kredisë. Gjatë periudhës së ndërtimit, Enti do të trajnojë familjet përfituese mbi formën e administrimit të pjesëve të përbashkëta.
Në përfundim të këtij aktiviteti, të prezantuar nga Znj.Andoni, Drejtoreshë e Përgjithshme e EKB-së, u falenderuan bashkitë për punën e kryer në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional, duke u sygjeruar zgjerimin e diskutimit mbi gjetjen e formave të reja të bashkëpunimit për adresimin e problemeve të familjeve në nevojë strehimi.
