Zhvillohet takimi i parë konsultativ mbi projekt-aktet në zbatim të Ligjit të ri të Strehimit

Strehimi, një koncept shumë dimensional që kërkon mbështetjen e faktorëve kryesorë social, politik, ekonomik dhe shëndetësor. Në këtë kuadër, Ligji nr.22/2018 për “Strehimin Social” kombinon një sërë programesh dhe instrumentash financiarë për adresimin e niveleve të ndryshme të nevojës për strehim të përshtatshem dhe të përballueshëm duke u mbështetur në aftësitë paguese të familjeve që kanë nevojë për strehim dhe ndihmën e insitucioneve shtetërore përgjegjëse. Për rrjedhojë, ky ligj së bashku me strategjinë për strehimin social 2016-2025 kërkojnë një angazhim më të madhë për adresimin e problemeve të strehimit për kategoritë sociale.
Ditë e hënë është zhvilluar takimi i parë konsultativ për prezantimin dhe diskutimin e projekt-vendimeve të hartuara në zbatim të Ligjit nr.22/2018. Nën drejtimin e Znj.Doris Andoni, Përgjegjës për Strehimin në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, si dhe relatorëve konsultativë Znj.Mariana Semini-Tutulani, Znj.Eralda Cani dhe Z.Erind Mërkuri janë prezantuar 7 projekt-vendime, të cilat lehtësojnë zbatimin e ligjit nëpërmjet përcaktimit të procedurave të qarta dhe të unifikuara. Projekt-vendimet janë hartuar nga grupi i punës i ngritur pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë me mbështetjen e Zyrës së PNUD Albania nëpërmjet projektit “Leave no one behind”, të OKB-sē si dhe asistencën e projektit “ROMACTED” të Këshillit të Evropës për të interpretuar çështjen e “dëbimeve me forcë” dhe “zhvendosjeve”.
Në vijim, gjatë këtij takimi u krijuan grupet e punës me përfaqësues nga Enti Kombëtar i Banesave, Bashkitë e rretheve të ndryshme, anëtarë të shoqërisë civile etj, të cilët nën drejtimin e konsulentëve duhet të simulonin situata sipas projekt-vendimeve respektive, si dhe të identifikonin pengesat, problemet që mund të lindin nga zbatimi i këtyre projekt-vendimeve. Nga grupet e punës u zhvilluan diskutime mbi elementë teknik dhe problematika të ndryshme të hasura gjatë punës në fushën e strehimit. Gjetjet e evidentuara u reflektuan në projekt-vendimet përkatëse.

Foto Galeri

4352 Total Views 2 Views Today